Xhaferi-Komshiq: Do të vazhdojë bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës e Hercegovinës

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot ka realizuar takim me anëtarin e kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Zheljko Komshiq, me të cilin kanë diskutuar për ngjarjet aktuale në vend dhe rajon.

Siç thonë nga Kuvendi, Xhaferi e falënderoi Komshiqin për vizitën e tij dhe për respektin e shprehur në drejtim të shënimit të 15 vjetorit të ngjarjes tragjike në Mostar, ku e humbi jetën ish-presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkoski.

Ai shprehu kënaqësi për marrëdhëniet e deritanishme të shkëlqyera miqësore ndërmjet dy vendeve të cilat janë në vijë të vazhdueshme të rritjes dhe ku nuk ka çështje të hapura dhe njëkohësisht shprehu shpresë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhme, si në planin politik ashtu edhe në planin ekonomik, me ç’rast e shfrytëzoi mundësinë të drejtojë ftesë te kolegët e vet në Parlamentin e Bosnjës e Hercegovinës për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar në të gjitha nivelet.

“Pas suksesit me nënshkrimin e Protokolleve aderuese në NATO, pres që në qershor të këtij viti kemi shans të madhe të marrim edhe datë për negociatat aderuese me BE- në”, theksoi Xhaferi.

Anëtari i kryesisë së BeH, Zheljko Komshiq, falënderoi për takimin me Kryetarin Xhaferi dhe drejtoi urime për suksesin e Maqedonisë dhe theksoi se mënyra me të cilën u arrit Marrëveshja me Republikën e Greqisë e vë Maqedoninë e Veriut në piedestalin e vendit i cili është shembull të cilin të gjitha vendet tjera në rajon.

Ai gjithashtu e nënvizoi rëndësinë e përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve dhe shprehu shpresë se ky bashkëpunim do të intensifikohet në të ardhme, me ç’rast shprehu pritjen se për Bosnjën e Hercegovinën këmbimi i përvojave me vendin tonë në planin e integrimeve në BE dhe NATO është më se e mirëseardhur.