VIDEO/ Juventus shumë i fortë edhe për Inter, “Zonja” kthehet në krye

Për të ndalur Interin në këtë sezon të Serie A duhej një Juventus në versionin e tij më të mirë. “Zonja e Vjetër” triumfoi 2-1 në shtëpinë e rivalëve të përjetshëm dhe për herë të parë në këtë edicion të kampionatit italian merr kryesimin e renditjes me një pikë më shumë se zikaltërit.

Seria A
Seria A

Një sukses i merituar për skuadrën e Maurizio Sarri, që kaloi në epërsi me Dybala që në minutën e 4-rt.

Të besuarit e Antonio Conte reaguan shpejt. Sistemi VAR konfirmoi 11-metërshin për prekje të topit me dorë nga De Ligt dhe në minutën 18-të, Lautaro Martinez barazoi rezultatatin me goditjen e tij të saktë. Kaq për pjesën e parë, ndërsa pavarësisht përpjejeve shifrat mbetën të pandryshuara deri në minutën e 80-të. Një aksion i gjatë që mishëron idetë e trajnerit Sarri nxorri përpara portës Higuain. Preciz sulmuesi argjentinas që realizoi golin e dytë dhe të fitores për Juventusin tashmë i vetëm në krye të klasifikimit. Në vendin e tretë të renditjes ngjitet Atalanta.

Një realitet i futbollit italian, skuadra bergamaske shpërbleu parashikimet, duke mundur me lehtësi në shtëpinë e saj 3-1 Lecce. Nuk arrin të ruajë ritmin Napoli, që nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në transfertën e Torinos.