Turqi, lirohet nga burgu ish-deputeti opozitar

Gjykata e Stambollit sot liroi ish-deputetin e Partisë opozitare Popullore Demokratike (HDP) të Turqisë, bëri të ditur një burim gjyqësor, raporton Anadolu Agency (AA).

Sirri Sureyya Onder u dënua me 3 vjet e gjashtë muaj heqje lirie për përhapje të propagandës terroriste dhjetorin e kaluar.

Ai ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese e cila vendosi në favor të tij, duke konstatuar shkelje të lirisë së shprehjes.

Si rezultat i kësaj, Gjykata Rajonale e Stambollit rishikoi çështjen e tij dhe solli vendim për lirimin e tij, tha një burim i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të kufizimit për t’u prononcuar për media.

Gjykata gjithashtu urdhëroi rigjykimin e rastit.

Disa deputetë të HDP-së aktualisht janë duke pritur gjykimin në burg në lidhje me terrorizmin, pas heqjes së imunitetit të tyre të deputetit në maj të vitit 2016.

Qeveria turke akuzon HDP-në për lidhje me PKK-në.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.