Tronditëse, Kardinali shpallet fajtor për abuzimin seksual të dy djemve

Kardinali George Pell është shpallur fajtor për abuzim seksual në Australi. Ai është figura më e lartë katolike që dënohet për një rast të tillë, mes skandalit që ka përfshirë Kishën Katolike.

Pell abuzoi me dy djem të korit në dhomat e një katedraleje në Melburn në 1996.

Vendimi u dha në dhjetor por nuk u bë publik deri tani për arsye ligjore.

Pell do të dalë në seancat e dëgjimit nga e mërkura. Kardinali ka apeluar vendimin e gjyqtarit.

Si arkëtar i Vatikanit, australiani 77-vjeçar ishte një nga zyrtarët më të fuqishëm të Kishës.

Të dy fëmijët që pretendohet se u abuzuan nga kardinali raportohen se janë nën moshën 16 vjeç.

Kishat katolike në gjithë botën gjatë viteve të fundit janë përballur me një sërë akuzash lidhur me abuzimin seksual nga priftërinjtë dhe pretendohet se rastet janë fshehur për të mos u bërë publike.