Thaçi: Pa presionin e BE-së, SHBA-ve dhe Rusisë, Serbia nuk na njeh

Hashim Thaçi u shpreh sonte në Report Tv se Serbia nuk do ta njohë Kosovën pa presionin e SHBA-së, BE-së dhe Rusisë. “Çështje identiteti. Ndërsa natyrisht që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë shumë më e vështirë, shumë më e rëndë sepse na ndan një lumë i madh me gjak me Serbinë. Serbia ka qëndruar dhunshëm përtej një shekulli në Kosovë dhe këto gjëra ne i dimë. Unë kam luftuar kundër Serbisë dhe e njoh se çfarë është Serbia. Por, për hir të gjeneratave të ardhshme, ne nuk guxojmë të mbesim viktimë e krenarisë së të kaluarës. Por duhet të lëvizim përpara, nëse mund të arrijmë marrëveshje. Unë shpresoj që të mund të arrijmë marrëveshje.

Do të hapet një perspektivë e një rajoni pa kufij, nën ombrellën euro-atlantike. Sepse, tek e fundit, këta kufij që kemi sot dhe gjërat që i diskutojmë sot, mendoj se për gjeneratat e ardhshme do të jenë qesharake, kur t’i lexojnë këto debate që aktualisht zhvillohen. Që të jemi pjesë e BE-së edhe Kosova e Serbia duhet t’i kenë të përcaktuara qartë popullatën, natyrisht edhe territorin. Nëse dikush mendon se Serbia do të na njohë vullnetshëm, pa një presion të BE-së dhe të SHBA-ve, dhe natyrisht ndoshta edhe një pëlqim të Rusisë, mashtrohet keq. Sot jetojmë në një statuskuo që, për mua, pas 11 vitesh pavarësie, paraqet regres për Kosovën. Është e rrezikshme në të gjitha rrafshet, qoftë të sigurisë, qoftë diplomatik, qoftë ekonomik apo edhe në rrafshe të tjera. Jetojmë me një konflikt të ngrirë, që potencialisht mund të shpërthejë çdo ditë”.