“Takimi Zaev-Mickoski”, Hoxha ka një porosi: Nuk presim asgjë të veçantë nga ky takim

Sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha ka reaguar mbi takimin vetëm mes dy liderëve nga partia maqedonase, Zoran Zaev nga LSDM, dhe Hristijan Mickoski nga VRMRO e cila pritet të mbahet nesër (martë) në kuvend, pa liderët e partive politike shqiptare, përcjell Zhurnal.mk.

“Takimet e liderëve pa përfaqësuesit politik shqiptar në këtë shtet, çdoherë kanë rezultuar me marrëveshje gjysmake që kanë lënë pasoja për të ardhmen e shtetit.

Nuk presim asgjë të veçantë nga këto takime përveç marrëveshjes politike për të shpëtuar njërën apo palën tjeter ose të dyja së bashku, ndërsa kjo nënkupton të bësh negociata për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës gjë që mendojmë se është plotësisht e gabuar pasi që me këto marrëveshje nuk sillen zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për ardhmërinë e sigurtë të shtetit.”, ka shkruar sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, përcjell Zhurnal.mk.

Ndryshe, Ligji për Prokurorinë Publike duhet të votohet me dy të tretat e votave në Kuvend. Shumica parlamentare mund t’i sigurojë 80 vota vetëm nëse të gjitha partitë politike shqiptare, përfshirë edhe ato në opozitë si dhe tetë deputetët e larguar nga VMRO-ja, e mbështesin propozimin e qeverisë.