Sulmi ndaj mediave, fundi politik i PD

Nga Artur Ajazi

Gjëja e vetme që ka bërë Lulzim Basha (dhe që do të kujtohet gjatë) nga koha kur “fitoi” postin e kryetarit të Partisë Demokratike, ishte futja e stilit majtist të qarkoreve. Prej 2013 deri sot, PD punon vetëm me “qarkore” madje shpesh edhe pa simbolikën e saj partie, dhe ato nisen edhe drejt degëve në rrethe për “protestat popullore”, për pagesa autobuzësh, pagesa të tjera protestuesish, dhe deri për bllokime rrugësh. Edhe qarkorja e fundit e Lulzimit, lidhej sërish me sulmin ndaj medias, duke urdhëruar ndjekësit e tij nga Tirana deri në rrethe, të “përbuzin dhe urrejnë mediat që i shërbejnë qeverisë dhe kryeministrit Rama”.

Sulmi ndaj medias ka qenë dhe mbetet fundi politik i çdo partie në çdo vend demokratik. Vetëm në diktaturën e çdo ngjyrimi , mediat i binden qeverisë, i binden kryeministrit, i binden presidentit, i binden strukturave ushtarake dhe policore, por në demokraci kurrë. Por duket se pamundësinë për të arritur bashkëpunim institucional mes Partisë Demokratike dhe medias, pamundësinë për të qenë bindës ndaj shqiptarëve me ide dhe programe shpresëdhënëse për të ardhmen, dhe më keq akoma, mentaliteti stalinist i trashëguar në atë parti, sipas të cilit “bindu ose të bind unë”, Lulzim Basha kërkon t’ja faturojë medias.

Nuk ka nevojë një qeveri të blejë media, nuk ka nevojë një kryeministër të blejë media, në rast se nuk punon, nuk investon, nuk ka rezultate, nuk bashkëpunon dhe nuk ka transparencë në gjithçka bën. Sulmi ndaj medias (verbal dhe fizik) ka qenë dhe mbetet tipari kryesor i një partie si PD, ka qenë dhe mbetet mjeti kryesor i cili është përdorur qysh herët nga eksponentë të saj për të “bindur” të pabindurit dhe ata që kërkonin të ishin vërtetë të pavarur. Dhe kjo ka ndodhur shpesh në këto 29 vite të tranzicionit të vështirë që po kalon ky vend.

Sulmi ndaj medias ka qenë dhe mbetet, mjeti më i sofistikuar i një partie e cila e ka nisur rrugëtimin e saj politik pikërisht me grushte, rrahje dhe djegie ndaj gazetave dhe redaksive, duke krijuar frikë, ankth dhe terror prikologjik dhe fizik. Askush nuk i ka harruar presionet ndaj redaksive dhe sulmet ndaj gazetarëve në fushatat elektorale pas 1992, askush nuk ka harruar se si ish-shikasit rrëmbenin për “një sqarim të vogël dhe formalitet” gazetarët në makinat e tyre, për ti bindur “të mos shkruanin më për të Madhin”.

Sulmi ndaj medias, nxitja e urrejtjes ndaj tyre, përhapja dhe ndarja e tyre në “tonat dhe të qeverisë” mbetet tipari i politikanit të paaftë, i politikanit që kurrë nuk ka shanse të fitojë beteja elektorale dhe sociale duke bindur, por thjesht duke të kujtuar gjithmonë kërrbaçin, arrestimin, burgun. Ka ardhur koha e largimit të kësaj kaste politikanësh, që janë sa anonimë aq edhe amatorë dhe tranzitorë në rrugëtimin e tyre aksidental.

Dhe të tillë ka plot në Shqipëri, në politikën qëndrore dhe lokale, por kultivimi i tyre bëhet perfekt vetëm në Partinë Demokratike. Lulzim lëre median të bëjë detyrën, të kryejë misionin, dhe mos kërko të “zbulosh” mercenarët në media kur ata i ke vetëm rrotull dhe brënda partisë tënde, madje disa edhe në zyrat e mobiluara “cher” në SHQUP.