Skadimi i kartave të identitetit/ Dyndje në zyrat e Gjendjeve Civile, qytetari: Rrimë jashtë në të ftohtë, s’kanë marrë masa për të shtuar sportelet

Koha e shkurtër që qytetarët kanë për t’u pajisur me kartat ka shkaktuar radhë të gjata nëpër njësitë administrative. Megjithatë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka urdhëruar hapjen e gjithë zyrave të aplikimit për Tiranën edhe ditën e shtunë.

Të paktën një milion e gjysmë karta identiteti dhe pasaporta biometrike skadojnë deri në qershor të 2019-s, muaj kur mbahen zgjedhjet vendore në Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë që ka mbetur edhe shumë pak kohë, në zyrat ku bëhet aplikimi për mjetet identifikuese po përballen me një fluks qytetarësh.

Koha e shkurtër që qytetarët kanë për t’u pajisur me kartat ka shkaktuar radhë të gjata nëpër njësitë administrative. Një qytetar ka shkruar në redaksinë e Shqiptarja.com duke u shprehur se njerëzit rrinë në radhë jashtë në të ftohtë ndërsa autoritetet nuk kanë marrë masa për të shtuar sportelet.

Megjithatë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka urdhëruar hapjen e gjithë zyrave të aplikimit për Tiranën edhe ditën e shtunë pasi diçka e tillë është një mundësi më shumë për gjithë të punësuarit që nuk e kanë të mundur të kryejnë përtëritjen e dokumentit gjatë javës, për shkak të angazhimit në punë.

Më herët në një deklaratë për shtyp, ministria e Brendshme ka ftuar qytetarët që të aplikojnë për kartën e identitetit, ndryshe institucionet do të kushtëzojnë dhënien e shërbimeve.

Në muajin shkurt të vitit 2009 ka nisur procesi i pajisjes të të gjithë qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Afati për skadimin e këtyre kartave është 10 vite dhe përkon me fundin e muajit janar 2019. 6 muaj para zgjedhjeve lokale rreth 1.4 milionë shqiptarëve iu skadojnë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, përkatësisht më 15 dhe 31 janar 2019.




Be the first to comment

Leave a Reply