S’ka marrëveshje Kurti – Mustafa!

Në ditën e parë të kthimit nga Gjermania, aty ku qëndroi për vizitë disa ditore, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk do të zhvillojë takim me të parin e LDK-së, Isa Mustafën, shkruan Gazeta Express.

Kurti si kryeministër në ardhje, sot gjatë ditës ka të paraparë që të pres në takim, kryetarët e tri sindikatave në Kosovë, Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës-SBASHK, Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, që tash e disa ditë po kërkojnë që mos të zvarritet zbatimi i ligjit për paga.

Lideri i VV-së ndërkaq nuk do të shihet sot me kreun e LDK-së. Se nuk ka takim të paraparë deri më tani në mes të Mustafës e Kurtit e kanë konfirmuar nga të dy partitë.

Derisa marrëveshja nga të dy partitë u tha se do të përfundohet gjatë kësaj jave, Kurti e Mustafa ka gjasë që të takohen gjatë ditës së nesërme, ani pse ky informacion nuk është konfirmuar nga partitë.

Të hënën janë bërë një javë nga takimi i fundit VV – LDK në nivel të liderëve, ku ishte thënë se do të finalizohet marrëveshja e koalicionit në mes të dy partive.

Hesapet mes dy partive ndryshuan kur Isa Mustafa ia prezantoi edhe një kusht tjetër Albin Kurtit, pasi që të dy liderët fillimisht zgjodhën ministritë që do t’i takojnë secilës.

Derisa Mustafa zgjodhi i pari MPB-në, ministri që kishte qenë premtim elektoral i VV-së, ai tha se me Kurtin duhet të merren vesh edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin, e që sipas kësaj marrëveshjeje duhet t’i takojë LDK-së.

Pikërisht ky kusht kishte qenë arsye se pse të hënën që lamë pas nuk u arrit marrëveshja e premtuar e koalicionit, që u tha se do të nënshkruhet 72 orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo “mosmarrëveshje” do të pasonte pastaj me akuza në distancë në mes të anëtarëve të të dy partive. U bë e ditur se as VV-ja e as LDK-ja nuk kanë hequr dorë nga kushtet e tyre. LDK-ja vazhdon të insistojë për presidentin, e VV-ja nuk do të bëjë pazare me këtë temë.

Deri tani dihet se Kurti i ka shkruar Mustafës, e të dy partitë po tentojnë të vazhdojnë bashkëpunimin.

Derisa LDK-ja e VV-ja po synojnë të formojnë koalicionin qeverisës, në çdo kohë mbetet në dorë të presidentit Hashim Thaçi që të thërrasë seancën konstituiv.