Reuters shkruan për Klement Balilin: Kapet “Zoti i drogës” në Shqipëri

Vetëdorëzimi i Klement Balilit ka qenë një lajm i bujshëm jo vetëm për mediat në Shqipëri, por edhe për ato në rajon e në botë. Kështu, mediat më të rëndësishme ndërkombëtare kanë shkruar për dorëzimin e tij. Për të dhe çështjen e tij, ka shkruar ndër të tjera edhe prestigjiozja “Reuters”, që mbulon ngjarje me rëndësi nga mbarë globi.

Kjo media ndër të tjera shkruan: “Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Shqipëri u dorëzua në polici të martën pas pothuajse tre vjetëve, pasi akuzohej prej autoriteteve shqiptare për kontrabandë të narkotikëve nga Greqia fqinje”. Klement Balili kishte shmangur kapjen që nga maji i vitit 2016, falë rrjetit të tij të mbështetjes në zonën jugore bregdetare të Sarandës dhe lidhjeve të dyshuara politike, duke hedhur dyshime mbi vendosmërinë e Shqipërisë për devotshmërinë në luftimin e bosëve të mëdhenj të krimit. Në shkurt të vitit 2017, presioni i aleatëve të saj perëndimor e detyroi Shqipërinë që të thërriste këshillin e saj të sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e aktivitetit të Balilit, pasi rrjeti i tij i drogës më tutje kishte gjetur përhapje edhe në vende fqinje, por edhe në shtete aleate të NATO-s”.
Në shkrim nënvizohet se Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm i Shqipërisë tha se Balili u dorëzua dhe e konsideroi një “hap të mirë të policisë”. I pyetur se çfarë ka kërkuar Balili në shkëmbim, Lleshaj tha: “Ai kërkoi një proces të drejtë ligjor”.

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu shpesh në thirrjet e tij publike kishte deklaruar se Balili ishte një element që duhej vënë përpara drejtësisë. Balili ka mohuar çdo keqbërje të mundshme, edhe pse ishte vënë nën akuzë për kontrabandimin të 700 kilogramë kanabis në Greqi. Avokati i Balilit, Theodhori Sollaku tha se provat ndaj Balilit ishin të dyshimta. Balili, 48 vjeç ka qenë më herët edhe drejtor i Drejtorisë së Transporteve në Sarandë. Aty ai ka ngritur një hotel luksoz. Në artikull thuhet se Balili dyshohet se kishte lidhje politike në vend.

Për vetëdorëzimin e Klement Balilit, quajtur ndryshe edhe “Zot i drogës” kanë shkruar një sërë mediash ndërkombëtare, të cilat shprehen se Shqipëria ka tashmë në duar një person të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, por se vetë ai (Balili) ka mohuar akuzat kundër tij.




Be the first to comment

Leave a Reply