Pendarovski javën e ardhshme në Paris, takim i mundshëm me Makronin

Presidenti, Stevo Pendarovski javën e ardhshme do të qëndrojë në Francë ku do të marrë pjesë në Forumin paqësor të Parisit, ku do të jetë edhe presidenti francez, Emanuel Makron.

Nga kabineti i shefit të shtetit thonë se tani për tani nuk ka konfirmim zyrtar për takim me Makronin. Presidenti Pendarovski dje në deklaratë për mediumet tha se po bëhen përpjekje për t’u arritur marrëveshja për takim në nivel sa më të lartë në Republikën e Francës. Theksoi se diplomacia vazhdon me eurointegrimet dhe se fokusi është Franca.

“Bëjmë përpjekje të mëdha praktikisht prej ditës së parë, praktikisht menjëherë pas samitit të fundit të Brukselit të arrijmë marrëveshje për takim të nivelit sa më të lartë në Republikën franceze dhe drejtpërdrejtë me presidentin Makron dhe me njerëzit rreth tij, çka saktë kërkojnë prej nesh dhe ta tejkalojmë atë situatë jashtëzakonisht të pakëndshme”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se në periudhën në vijim duhet të marrim sinjal më të fuqishëm nëse së shpejti do të mund të ndryshohet epilogu mjaft i pavolitshëm nga samiti i fundit evropian para së gjithash  Franca.

Pendarovski në Paris do të qëndrojë më 11, 12 dhe 13 nëntor, ndërsa në Forum, në të cilin priten mbi 30 shefa të shteteve dhe qeverive, fjalim do të ketë më 12 nëntor. .