PD: Koncesioni i rrugës Milot-Balldren i pastudiuar, abuzim me taksat

Partia Demokratike I ka cilësuar koncesionet e rrugës Milot-Balldren e Dukat-Orikum si një vrasje me borxh të panevojshëm të fëmijëve të qytetarëve shqiptarë. Në një dalje për mediat, ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku deklaroi se rrëzimi I dekreteve të Presidentit Meta është një tjetër provë e një qeverie autoritare që po mbahet në këmbë, sipas saJ, nga oligarkët. Tabaku nuk I kurseu as akuzat në drejtim të deputetëve të Kuvendit, për t cilët tha se treguan qartë se janë thejsht kukulla që po lejojnë abuzimin e taksave të shqiptarëve.

“Rrëzimi dekreteve presidenciale ditën e djeshme nga Parlamenti është një tjetër provë e një qeverie autoritare që mbahet në këmbë nga oligarkët. Ky bashkëpunim i ngushtë ka prodhuar një Shqipëri të varfër, të kriminalizuar, të pa-barabartë dhe të pajetueshme. Votimi i djeshëm për dy ligje që i japin praktikisht 366 mln euro Agim dhe Ndue Kolës (ANK) si dhe Lorenc Gjikurisë, për projekte të pastudiuara dhe të fryra, nuk është vetëm një krim ndaj buxhetit, në të vërtetë vendimi i djeshëm është vrasja me borxh të panevojshëm i fëmijëve tanë. Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë treguan dje se janë thjeshtë kukulla. Përndryshe ata nuk do të kishin votuar për të rrëzuar një dekret presidencial që shmangte jo ndërtimin e një rruge me rëndësi, por abuzimin me taksat e shqiptarëve.”

Sipas Tabakut, projekti i rrugës Milot-Balldren është I pastudiuar pasi shqiptarëve do u kushtojë 17 mln euro një kilometër rrugë.

“Shqipëria e 300 mijë emigrantëve që kërkojnë azil do të paguajë 17 mln euro nga taksat e saj për 1 km rrugë babëzie. Shqiptarët që sot jetojnë në shtetin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor do të paguajnë 296 mln euro për një rrugë që si fillim u projektua me vlerën 113 mln euro; pastaj sa më shumë kalonte koha ajo rritej me nga 50 mln euro. Për herë të parë një kontratë do të paguhet në euro, duke rritur rrezikun edhe më për buxhetin e shtetit dhe natyrisht për shqiptarët.”

Duke e cilësuar si një shkelje flagrante e rregullave të konkurimit, Tabaku pohoi se Ministria e Financës dhe Ekonomisë nuk ka dhënë miratim për këtë koncesion.