Ndotja e ajrit dhe pirja e duhanit, shkaqet më të shpeshta për sëmundje kronike obstruktive të mushkërive

Vlerësohet se pesë për qind e popullatës në vend, përkatësisht 147.000 njerëz mund të sëmuren nga sëmundja kronike obstruktive e mushkërive (HOBB). Shkaqe më të shpeshta për sëmundjen janë pirja e duhanit, ndotja e ajrit dhe puna në kushte joadekuate të punës. Ndotja e ajrit e përkeqëson gjendjen tek pacientët me HOBB, astmë, ndërsa me pirjen e duhanit ka ndikim edhe lidhur me rritjen e numrit të pacientëve të cilët mund të marrin karcinom të mushkërive. Jo vetëm burra, por edhe numër gjithnjë e më i madh i grave sëmuren nga karcinomi në mushkëri, tek të cilat grimcat PM më të vogla se një mikrometër deponohen më thellë në rrugët e frymëmarrjes dhe ato mund të jenë një ndër faktorët për sëmundjen.

Këtë sot e theksoi drejtori i Klinikës universitare për pulmologji dhe alergologji, Dejan Dokiq në konferencë për shtyp me rastin e shënimit të Ditës botërore të sëmundjes HOBB. Ai rekomandoi që pacientët me HOBB të mbajnë maska kur dalin jashtë, ndërkaq që ndotja e ajrit është e lartë. Parashihet, theksoi, që vitin e ardhshëm sëmundja HOBB të jetë shkaku i tretë më i shpeshtë për vdekje nga të gjitha sëmundjet në botë.

“Nga Ministria e Shëndetësisë morëm 3.500 maska të cilat ua ndajmë pacientëve. Kur janë në shtëpi këta pacientë nuk duhet t’i hapin dritaret, duhet rregullisht ta marrin terapinë e përshkruar dhe të konsumojnë koncentrim të lartë të antioksidantëve, vitamin C dhe E… Kemi informatë se 37 për qind e popullatës në vend janë duhanpirës. Në të gjitha vendet e zhvilluara mbahet kujdes për popullatën dhe e kufizojnë lidhur me pirjen e duhanit apo i stimulojnë ata të cilët nuk pinë. Sipas meje, që nga mosha më e re duhet të tregohet për pasojat e dëmshme nga pirja e duhanit”, tha dr. Dokiq.

Shtoi se është në rënie numri i pacientëve të hospitalizuar, ndërsa tek ata ambulant, është i njejtë.

Mjekja Bisera Qaeva tha se mbështetja me oksigjen është e domosdoshme për këta pacientë tek të cilët furnizimi i gjakut me oksigjen është i ulët dhe si rezultat i kësaj nuk pësojnë vetëm mushkëritë, por edhe zemra, truri dhe sistemi endokrin…

“Pacientët më rëndë të sëmurë të cilët nuk patën mbështetje me oksigjen në kushte shtëpiake u hospitalizuan dhe pranonin terapi. Tani falë aparateve të cilët oksigjenin e rëndomtë e bëjnë të përshtatshëm për inhalim në kushte shtëpiake, pacientët minimum 16 orë gjatë ditës e shfrytëzojnë oksigjenin dhe në atë mënyrë parandalojnë shumë simptome dhe sëmundje të tjera”, shtoi dr. Qaeva.

Në Klinikën për pulmologji, tha drejtori Dokiq, kemi tre aparate për terapi joinvazive.

Mjekja Gorica Brishkovska theksoi se edhe përkundër terapisë të cilën e kanë në disponim dhe shfrytëzimi i terapisë shtëpiake me oksigjen tek pacientët me HOBB gjatë vitit ka përkeqësim të sëmundjes bazike dhe ato gjendje mund të jenë shqetësuese për jetë.