Muki kërcënon organet partiake me dorëheqje!?

Deputeti shqiptar i LSDM-së, Muhamed Zekiri i njohur si Muki, ka ngjallur debat të ashpër në organet partiake lidhur me ngjarjet e fundit dhe mosmarrëveshjet me partnerin qeverisës, Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit. Shkas për këtë kanë qënë lojërat e deputetëve të BDI-së dhe Kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, i cili nuk lejoi të votohej për heqjen e imunitetit të Trajko Veljanovskit nga VMRO-DPMNE-ja.

Burimet tona pranë LSDM-së theksojnë se Muki ka kërcënuar udhëheqësinë partiake edhe me dorëheqjen e tij nga gjitha funksionet në parti, në qoftë se nuk e largojnë BDI-në nga Qeveria.
Muhamed Zekiri kohë më parë u zgjodh Nënkryetar i LSDM-së dhe njihet si person me autoritet dhe përkrahje, sidomos në zonën e Çairit, Haraçinës, Hasanbegut. Ai kërkon që sa më parë të shkëputen prej partneritetit me BDI-në, pasi siç thotë ai, kjo e fundit është ende nën ndikimin e VMRO-së dhe se krerët e saj janë poaq të korruptuar dhe të inkriminuar sa edhe vetë Nikolla Gruevski me shokë. “Nuk mund të qeverisim bashkë me VMRO-në”- mësohet të ketë thënë Zekiri para organeve partiake.

Muki kërkon që edhe të dyshuarit e BDI-së të vihen sa më parë para drejtësisë dhe të arrestohen, me qëllim që qytetarëve t’iu kthehet besimi në institucionet e shtetit./InfoMagazin/