Mike Pence i përcjell Juan Guaidos mesazhin e Trump: Jemi 100% me ju

Shtetet e Bashkuara ritheksuan mbështetjen ndaj kreut të opozitës venezuelase Juan Guaido ndërsa po kërkojnë dhe mënyra të reja për të ushtruar presion mbi presidentin Nicolas Maduro, që të largohet nga pushteti. Mbështetja për kreun e opozitës u dha gjatë takimit që ai pati në Bogota me zv./presidentin amerikan Mike Pence.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin kreun e opozitës venezuelase Juan Guaido, derisa në vend të rikthehet liria. Këtë garanci e dha zv./presidenti amerikan Mike Pence gjatë takimit me Guaido në Bogota të Kolumbisë në takimin e Grupit të Limas.

“Për Ju president Guaido kam një mesazh të thjeshtë nga presidenti Trump: e jemi 100% me ju,” i tha Mike Pence, Juan Guaido.

Ndërkohë ShBA-ja ka vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve venezuelas në përpjekje për të shtuar presionin ndaj presidentit, Nicolas Maduro, zgjedhja e të cilit konsiderohet nga Uashingtoni si e paligjshme. Nga ana tjetër, kreu i opozitës venezuelase Juan Guaido, bëri thirrje për rezistencë.

“Sot Venezuela vazhdon të ndeshet me një emergjencë të rëndë humanitare, me të vërtetë serioze, që mund të kishte pak lehtësim të shtunën me mbështetjen e vendeve të rajonit. Prandaj duhet të rezistojmë, të mbajmë lart tensioni në lidhje me ndihmat humanitare dhe të mbrojmë popullin tonë”.

Ndihmat e mbledhura në Kolumbi dhe Brazil nuk u lejuan të kalojnë kufirin nga forcat e ushtrisë të drejtuara nga presidenti Maduro. Në një prej pikave kufitare, kamionët morën flakë dhe turma nxitoi të shpëtonte kutitë me ushqime dhe ilaçe.