Lëvizja Besa-Tetovë: Premtimet e BDI-së si lavdet e Pinokios!

Aq të mëdhaja kishin qenë rrenat e BDI-së dhe Teuta Arifit, sa edhe Pinokio do t’ua kishte lakminë.

Edhe pse është premtuar disa herë shkolla në Reçicë të Vogël, assesi të shohë dritën në fund të tunelit. Iniciativa për ndërtimin e kësaj shkolle daton prej vitit 2007. Madje Teuta Arifi në zgjedhjet lokale të vitit 2013 e premtoi ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël (Platforma zgjedhore “Bashkë ndërtojmë” faqe 101). Deri tani ky premtim nuk është realizuar.
Sipas Teuta Arifit fajtor për mos realizimin e punimeve në mandatin e parë ishin donatorët kinez, madje përrallat me donatorët kinez ishin shumë të bukura për t’i mbuluar dështimet në menaxhimin e komunës.

Krahas premtimeve të njëpasnjëshme, punimet për ndërtimin e kësaj shkolle nuk filluan edhe në vitin 2017, madje ky projekt i dështuar përsëri u bë pjesë e premtimeve të kryetares Teuta Arifi në zgjedhjet lokale 2017, ku si garantues për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël përveç kinezëve, doli edhe ish Zv.Kryeministri Hazbi Lika dhe Kryeministri Zoran Zaev. Ata u zotuan se investimi shumë i kërkuar i banorëve të Reçicës që në vitin e parë të mandatit do të bëhet realitet me mjetet e Qeverisë.
Lëvizja Besa me keqardhje konstaton se Teuta Arifi edhe kësaj radhe i mashtroi banorët e Reçicës së Vogël dhe se fëmijët e tyre do të presin momente tjera për ndërtimin e shkollës.
E pyesim Teuta Arifin deri kur do t’i gënjejë banorët e lagjes Reçicë e Vogël? Pas rrenave me kinezët dhe Zoran Zaevin, për realizimin e gënjeshtrave të rradhës do t’ju ndihmojnë rusët, apo ukrainasit.

Të nderuar banorë të Tetovës, Lëvizja Besa ju garanton se do të vazhdojë të ndjek me vigjilencë të gjitha dështimet e kryetares së Tetovës, duke ia bërë me dije se për një lagje me rreth 20 000 banorë dhe me afro 1000 nxënës siç është Reçica e Vogël, ndërtimi i shkollës do duhej të ishte prioritet më i madh se “Pastërmka” e kryetares Teuta Arifi.
Banorëve të Reçicës së Vogël ua bëjmë me dije se komuna ka financa të mjaftueshme që të mund të financojë ndërtimin e shkollës dhe se vazhdimisht ka munguar vullneti, transparenca dhe dëshira që ky projekt të bëhet realitet.
Znj. Kryetare, një herë ju shpëtuan rrenat me donatorët kinez, së dyti ju shpëtuan miqtë e LSDM, herën tjetër nuk do ta keni këtë fat, sepse tetovarët dijnë të vlerësojnë më shumë, sesa ju dini të rreni.