Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

Këshilltari Bolton takon Daçiqin Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizë përpara, pasi asnjëra palë nuk fiton nga status-quoja. Kështu deklaroi këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, në takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Nëpërmjet një shkrimi në Twitter, Bolton theksoi se “tani është koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”. Ndërkohë dje ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të përfshihen në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por këtë nuk mund ta bëjnë, përderisa të dyja palët nuk vendosin t’i rikthehen dialogut. Senatori Ron Johnson, në takim me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, theksoi se “është me rëndësi që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut sa më parë dhe të arrijnë marrëveshjen e obligueshme. Rasti i Maqedonisë dhe Greqisë është shembull që duhet ndjekur se kur ka vullnet politik mund të arrihet marrëveshje përfundimtare”.