Katica dhe vrasja e drejtësisë!

Nga Naser Pajaziti

Katica Janeva dhe Fatime Fetai, dy gratë nga provinca, njëra nga Gjevgjelia e tjetra nga Negotina, tre vjet më parë u shëndërruan në yje televizive që me entuziazmin e tyre reflektonin shkëndija shprese se më në fund drejtësia do të vjen në këtë vend, që nga pavarësimi ishte një ‘mafia shtet’ me pushtete të korruptuara.
Por, sot Katica Janeva doli delja e zezë në mozaikun e sistemit të rënë të drejtësisë dhe një shembull i shëmtuar.
Gruaja e përkëledhur nga ndërkombëtarët, nga viti i kaluar mbeti “zonja vetmuar” dhe nuk ishte e preferuar për shumë ambasadorë të vendeve respektabile, që në fillim pa hezitim po mbështesin dhe lobonin për reformat në sistemin e kalbur dhe të kapur të drejtësisë.
Prokuroret famoze të “Speciales” të entuziazmuara nga fama po defilonin për lakmi me garderobën e tyre super luksoze, në një vend ku një çantë apo kostum i tyre kushtonte sa 10 rroga të një punëtori të zakonshëm.
Shpresat nga drejtësia e vërtetë po veniteshin dhe kjo nuk po i bënte përshtypje Katicës, e cila nuk hezitonte të publikonte foto në instagram me “Boki13”, personi kontrovers që po e varros fatin e saj.
Pakënaqësia dhe mosbesueshmëria e qytetarëve po shënonte rënie, ashtu që në fund të 2018, pakënaqësia ndaj kësaj prokurorie kishte rënë në 41%. Kjo ishte një tregues se ky institucion po shkonte drejt një fiaskoje të pakthyeshme.
Dhjetëra rastet e procesuara me qindra të dyshuar dhe të akuzuar, nuk çuan askënd në burg. Nikolla Gruevski u arratis në Budapest, Sasho Mijallkov i kalon ditët në katin e 5-të në hotelin “Marriot”, Orce Kamçev me pasaportën e tij shëtit botën e deri tek Gordana Jankullovska, e cila po ashtu nuk vuajti asnjë ditë burg.
Ky është rezultati i gjithë punës së këtij institucioni që vetëm për vitin 2018 harxhoi 195 milion denarë apo mbi 3,2 milionë euro, me një staf prej dhjetëra të punësuarisht me rroga të majme dhe benefite të ndryshme.
Se Katica Janeva a është e keqpërdorura apo e involvuara në rastin “Zhvatja”, kjo do të dihet gjatë procesimit të plotë të këtij rasti që është në duart e Prokurorisë së krimeve të rënda.
Por, ajo parasegjithash duhet të jap llogari edhe për dhjetëra rastet e tjera, si rasti i “Lagjes së Trimave”, rastin “Monstra, rastet e tjera montuara, dyshimet e ngritura në opinion se përse nuk janë ngritur akuza edhe ndaj shumë zyrtarëve të BDI-së, që ishin pjesë e pushtetit me VMRO-DPMNE si dhe dhjetëra raste të tjera. Llogaridhënia transparente duhet të zbuloj se Katica a u shndërrua në dorë të zgjatur të politikës së pazareve dhe dështimit, që mori kartonin e kuq edhe nga Brukseli. Shembja e Prokurorisë Speciale është dëm kolateral gati i pariparueshëm dhe një alarm i kobshëm që vrau shpresën për reformën në drejtësi.