Kadri Veseli mbledh PDK-në, ish-shefi i tij e vazhdon heshtjen

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, Kadri Veseli ka mbledhur kryesinë e Degës së PDK-së në Prishtinë, për të dhënë mesazhin se janë të gatshëm për zgjedhje të reja të parakohshme.

Megjithatë për një gjë të tillë ende nuk është deklaruar ‘shefi’ kryesor i PDK’së, Hashim Thaçi, i cili ushtron edhe postin e presidentit të vendit dhe është në kompetenca të tij shpallja dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme.

“Kadri Veseli takoi Kryesinë e Degës së Prishtinë dhe ritheksuan se PDK është më e gatshme se kurrë për zgjedhje dhe se konsolidimi i nëndegëve dhe strukturave të degës së Prishtinës është shpresë për qytetarët. Procesi zgjedhor nëpër të cilin ka kaluar PDK në Prishtinë, ashtu sikurse në të gjitha komunat e Kosovës është garanca më e madhe që PDK përfaqëson strukturën me besimin më të madh elektoral dhe kjo na jep edhe më shumë përparësi në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas këtij takimi të Veselit me strukturat e partisë së tij.

Në media po raportohet se Hashim Thaçi po e zvarrit me qëllim procesin e shpalljes së zgjedhjeve të reja, ndërkohë ka pasur edhe zëra se kreu i vendit dëshiron pazare për krijimin e një ‘qeverie teknike’ që do t’i mundësonte vazhdimin e dialogut të Brukselit me Serbinë.

Në anën të tjetër të gjitha partitë politike në vend janë deklaruar se janë për zgjedhje të reja të parakohshme. Ato kanë kërkuar nga Thaçi që të caktojë sa më parë datën e zgjedhjeve të reja.

Televizioni publik i Kosovës i thirrur në burime brenda presidencës ka raportuar ditë më parë se zgjedhjet e reja do të organizohen më 8 shtator, megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar.

Situata e re politike në vend është krijuar pas dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Republikës së Kosovës, pas ftesës që ka marrë për intervistim në Hagë nga Gjykata Speciale.

Se si duhet proceduar tutje, me zgjedhje të reja apo ‘qeveri teknike’ nuk ka asnjë qëndrim nga BE-ja, ndërkohë Gjermania e kancelares Merkel thotë që caktimi i datës së re të takimit Kosovë-Serbi do të bëhet bazuar se si rrjedhin ngjarjet në Kosovës pas dorëheqjes së Ramush Haradianjt. Ndër të tjera kanë kërkuar kthim të shpejtë në dialog, dhe kanë potencuar se mirëpresin heqjen e taksës.