Janeva nën shoqërimin e policisë para Gjykatës Penale të Shkupit

Nën shoqërimin e policisë sot në mëngjes në Gjykatën Penale të Shkupit, nga arresti shtëpiak u sollën ish-prokurorja speciale Katica Janeva dhe Zoran Milevski-Kiçeec, të cilët së bashku me Bojan Jovanovskin-Boki 13, janë të akuzuar në rastin “Reket”.

Prokuroria për krim të organizuar kundër personave në fjalë, në tetor të këtij viti dorëzoi aktakuzë në Gjykatën Penale të Shkupit. Sipas tyre i akuzuari i parë Jovanovski, dyshohet se ka kryer vepër penale ‘larje parash dhe rendimente tjera nga vepra penale’, ndërsa Janeva dhe Milevski dyshohet për “pranim të dhuratës për ndikim kundërligjor”. Ndërkohë, ish-prokurorja speciale Janeva, dyshohet edhe për veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.

“I akuzuari i parë në periudhën mes nëntorit të vitit 2018 dhe prillit 2019, duke shfrytëzuar autoritetin e supozuar mbi të akuzuarin e dytë – prokuror publikë, ka ndikuar të kryejë veprim zyrtar, i cili nuk është dashur të ndodhë. Ai, duke i shfrytëzuar lidhjet e vendosura paraprake miqësore, ka ndikuar mbi të akuzuarën e dytë, gjatë realizimit të procedurës hetimore në lëndën ‘Perandoria’, për t’ja lehtësuar pozitën dëshmitarit, i cili në këtë lëndë është njëri prej të dyshuarve dhe të cilit me propozim të prokurorit publik i është caktuar masa e paraburgimit. I akuzuari i tretë ka kontribuar me kryerjen e veprës penale me organizimin e takimeve të vazhdueshme të të akuzuarit të parë me bashkëshorten e dëshmitarit, ndërsa më vonë edhe me dëshmitarin, ndërkohë duke i bindur në ndikimin e tyre mbi prokurorin publik”, sqarojnë nga Prokuroria Publike.


E akuzuara e dytë e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe pasi i akuzuari i parë bashkë me të akuzuarin e tretë i kishte marrë 500.000 eurot, për të cilat ishin marrë vesh nga bashkëshortorja e dëshmitarit, ka dorëzuar deri te Gjykata e Apelit në Shkup propozim për përcaktimin e masës më të lehtë – arrest shtëpiak, e cila ishte pranuar. Njëherit, sipas marrëveshjes, pas pagesës së 1.000.000 euro, e akuzuara e dytë ka dorëzuar leje me shkrim deri te gjykata që pasaporta e marrë t’i kthehet përkohësisht dëshmitarit.

Me veprimet e ndërmarra zyrtare, e akuzuara e dytë e kishte shfrytëzuar dhe e kishte tejkaluar pozitën e saj zyrtare dhe autorizimin dhe për vete ka marrë përfitim pronësor në vlerë të madhe edhe atë në sende – mobilie në vlerë prej   296.040,00 denarëve dhe para në vlerë prej 50.000 eurove, ndërsa për ndikimin jashtëligjor dy të akuzuarit e tjerë kishin pranuar shpërblim prej 1.500.000 eurove. I akuzuari i parë edhe pse i papunë, me xhirollogari të bllokuara dhe pa të ardhura, në fillim të këtij viti kishte blerë për vete mobilie luksoze, veshmbathje dhe këpucë dhe kishte qëndruar në pushimore luksoze – resorte jashtë vendit që na bën të ditur se i ka lëshuar në qarkullim mjetet të cilat i kishte marrë me veprën penale “Pranim të shpërblimit për ndikim jashtëligjoir”.

Në kuadër të rastit “Reket”, Prokuroria hapi hetim të ri, i cili ka të bëjë me Aleancën Ndërkombëtare të Bojan Jovanovskit – Boki 13.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit informon se hetimi për rastin “Reket” është zgjeruar, gjegjësisht është marrë vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër pesë personave fizikë dhe një personi juridik, për shkak të dyshimit se i dyshuari i parë ka kryer vepër penale në vazhdimësi “mashtrim” dhe vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”