IKD reagon ndaj Ministrisë së Drejtësisë lidhur me hartimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një reagimi për media thotë se nuk pajtohet me politikat e Ministrisë së Drejtësisë (MD) në hartimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, në të cilin ka bërë ndryshime esenciale në procedurën penale, duke zgjatur afatin e hetimeve penale, përmes të cilit shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha standardet dhe praktikat ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë.

“IKD shpreh shqetësim me këtë qasje të politikave të MD-së, të cilat në emër të shtimit të efikasitetit në luftimin e kriminalitetit, tentojnë të arsyetojnë dështimet e institucioneve të drejtësisë, në këtë rast policisë, prokurorisë dhe gjykatave në luftimin e kriminalitetit. Në këtë drejtim, MD ka propozuar ndryshime esenciale ligjore në procedurën penale, duke ju ofruar komoditet institucioneve të drejtësisë në trajtimin e lëndëve, për shkak të zgjatjes së afatit të hetimeve penale nga dy (2) deri në katër vite (4). Në këtë mënyrë, MD arsyeton dështimet e institucioneve të drejtësisë dhe sakrifikon parimet dhe standardet e mishëruara në Kushtetutën e Kosovës lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut në procedurë penale”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD vlerëson standardet e ndërtuara në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, i cili është në fuqi, të cilat rekomandon të avancohen, por assesi që të cenohen në dëm të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç po synohet. Me Kodin e Procedurës Penale në fuqi, hetimi penal nga momenti i fillimit mund të zgjasë maksimalisht deri në dy (2) vite e gjashtë (6) muaj. Parimisht hetimi penal i filluar përfundon brenda dy (2) viteve. Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit për shkak të hetimeve të ndërlikuara dhe shkaqeve të tjera të përcaktuara sipas ligjit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit edhe për gjashtë (6) muaj shtesë, pra maksimumi deri në 30 muaj apo dy vite e gjysmë.

Ndërsa, tani sipas nenit 157 të Projekt Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili tani gjendet në procedurën e aprovimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës hetimi nga momenti i fillimit mund të zgjasin deri në katër (4) vite.

Parimisht sipas këtij Projekt Kodi, hetimi penal i filluar duhet të përfundoj brenda dy (2) viteve. Por, me kërkesën e prokurorit të shtetit për shkak të hetimeve të ndërlikuara dhe shkaqeve të tjera të përcaktuara sipas ligjit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit edhe për gjashtë (6) muaj shtesë. Prokurori duke u bazuar në arsyet e përcaktuara dhe sipas kushteve të njëjta mund të kërkoj zgjatje të mëtutjeshme edhe prej gjashtë (6) muajve deri në më së shumti dy (2) vjet pas kalimit të afatit prej (2) vjetësh.

IKD vlerëson se kjo është e papranueshme dhe cenon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke cenuar rëndë parimet kushtetuese, standardet dhe praktikat ndërkombëtare të zbatueshme me Kushtetutën e Republikën e Kosovës.

“IKD ua rikujton deputetëve të Kuvendit të Kosovës se me nenin 31 paragrafi 2 të Kushtetutës së Kosovës përcaktohet se çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”, thekson IKD.