Hashim Thaçi: Njohja nga Serbia s’do të jetë dhuratë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kutia e Pandorës në Ballkan është e hapur dhe se ajo do të mbyllej me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Zgjidhja i jep fund frikës për konflikt të ri dhe instalohet paqja. Marrëveshja ka efekte të jashtëzakonshme. Atëherë të do kishim një transformim të plotë, zhvillim ekonomik dhe fokusim në punët tona. Mund të jetë precedent zgjidhja përfundimtare me njohje reciproke. Serbia nuk do ta japë si dhuratë njohjen Kosovës por kjo do të ndodhë në një proces të ndjeshëm. Demarkimin e kemi bërë edhe me Maqedoninë, unë e kam nënshkruar atë marrëveshje. E kemi kryer edhe me Malin e Zi. 410 kilometra kufi janë me Serbinë dhe atë kufi duhet ta instalojmë në baza të njohjes reciproke”, ka thënë Thaçi në një intervistë për RTSH.
Thaçi ka thënë se kufijtë në Ballkan janë vënë nga fuqitë e mëdha, duke përmendur edhe ata të Shqipërisë.

“Marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse. Asnjë shtet nuk e njeh njëri-tjetrin, pa përcaktimin e vijave kufitare. Do të ishte jologjike që dikush në Serbi të zgjohet dhe të thotë: E njoh pavarësinë e Kosovës”.

Thaçi ka thënë se shpreson në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për të cilën thotë se do të jetë e qëndrueshme.

“Shpresoj dhe besoj se marrëveshja mund të arrihet dhe do të jetë e qëndrueshme sepse e ka garancën e SHBA-së dhe BE-së. Dëshmitarët janë të fuqishëm. Të gjitha shtetet e BE-së janë në favor të dialogut dhe përmbylljes së çështjeve të hapura”.

“Kancelarja Merkel ka dërguar mesazhin e qartë: E keni mbështetjen për dialog dhe marrëveshjes suaj askush nuk mund t’i dalë përballë”.