Gratë shqiptare fitojnë më pak se burrat




Një raport i publikuar nga INSTAT mbi barazinë gjinore, dhe i hartuar në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë, komisionin europian dhe bankën botërore zbuloi se gratë shqiptare janë më të varfët e europës.

Sipas studimit ka një hendek mjaft të madh përsa i përket burimeve financiare mes grave shqiptare dhe atyre europiane. Në fakt në të njëjtën situatë është krejt rajoni i Ballkanit përfshirë dhe dy vende anëtare të bë si Rumania dhe Bullgaria, por Shqipëria ka rezultatet më të ulëta se të gjitha vendet e marra në krahasim.

Vendi ynë ka një diferencë prej plot 20,8 pikësh krahasuar me vendet e bashkimit europian.

Diferenca mes burimeve financiare të burrave dhe grave u mat nëpërmjet treguesve që përfaqësojnë fitimet mujore me bazë punën, të ardhurat mesatare neto të mbledhura, të cilat përveç pagave, përfshijnë pensionet, përfitimet sociale, si dhe çdo formë tjetër të ardhurash.

Ndërkohë studimi nuk gjeti diferenca të mëdha mes burrave dhe grave sa i përket rrezikut të varfërisë. /TCh/