“Gjuha shqipe”, Rexhepi: E gëzofshim për jetë e mot të gjithë bashkë

“Fill pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, një gëzim dhe kënaqësi tjetër po përjeton populli ynë. Ëndrra e kamotshme, përpjekja jonë e vazhdueshme, synimi i gjeneratave dhe qëllimi gjithë popullor u realizua. Gjuha shqipe prej sot u bë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Urime, urime, urime, e gëzofshim për jetë e mot të gjithë bashkë. Kjo gjuhë e lashtë, e ruajtur me dashuri e xhelozi dhe e kultivuar ndër shekuj edhe kur ishte e padrejtësuar dhe e ndaluar, u bë gjuhë zyrtare edhe në institucionet shtetërore”, shkruan mes tjerash në postimin e tij në Facebook, kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi.

“Jam tejet i lumtur dhe i gëzuar që gjuha shqipe, përkundër vështirësive me të cilat u ballafaqua dhe përkundër pengesave e ndërkëmbëzave që ia bënë forcat destruktive politike që mjerisht akoma po frymojnë në Maqedoni, u zyrtarizua dhe me vete solli ndjenjën aq të dëshiruar shqiptare të barabarësisë së plotë. Me këtë rast të cilin e konsideroj historik, në emrin tim personal dhe në emër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, e uroj popullin shqiptar për këtë të arritur të veçantë. Njëkohësisht, i uroj dhe i përgëzoj përfaqësuesit tanë politikë të cilët me mençuri dhe me këmbëngulje arritën t’a finalizojnë procesin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe”, thuhet në postimin e Rexhepit.

Urime kreu i BFI-së dërgoi edhe për Qeverinë aktuale e cila sipas tij tregoi kapacitetin e vetë demokratik dhe orientimin eurointegrues, e vetëdijshme se barabarësia e njerëzve në këtë shtet mund të sjellë vetëm përparim të përgjithshëm dhe stabilitet.

“Allahu xh. sh. qoftë përherë me popullin tonë. Gjuha shqipe le të lulëzojë brenda shoqërisë evropiane. Maqedonia si shtet i përbashkët i popujve që jetojnë në këtë nën qiell qoftë përherë shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit”, shkruan kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi.




Be the first to comment

Leave a Reply