Fituesi i Nobelit për Letërsi dikur përkrahte Sllobodan Millosheviqin

Shkrimtari dhe dramaturgu austriak, Peter Handke, u shpërblye sot me çmimin Nobel për Letërsi.

Ndonëse talenti i tij prej letrari duket të jetë i pakontestueshëm, ashtu nuk mund të thuhet edhe për disa qëndrime të tij kundërthënëse politike dhe shoqërore, shkruan Klan Kosova.

Handke shpesh është kritikuar për qëndrimet e tij “pro-serbe” dhe për përkrahjen që ia kishte dhënë ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq – i akuzuar për gjenocid.

Për më tepër, Handke kishte qenë në funeralin e këtij të fundit, ku disa raportojnë se kishte mbajtur fjalim panegjirik  e disa të tjerë, si puna e regjisorit gjerman, Wim Wenders, thonë se ai thjesht iu ishte përgjigjur disa pyetjeve.

“Jami  lumtur të jem afër Sllobodan Millosheviqit, që mbrojti popullin e tij” kishte thënë Peter Handke në Sheshin e Lirisë në Pozharevc sipas disa raporteve në mediat evropiane.

Shkaku i prezencës së tij në funeral, veprat e Handke-së ishin ndaluar nga kompania më e madhe e teatrove në Francë, “Comédie Française”, shkruan The Guardian.

Në revistën gjermane “Focus”, ai e kishte kontestuar armiqësinë e medias perëndimore ndaj Millosheviqit.

Sidoqoftë, 13 vjet pas paraqitjes së tij në Pozharevc, Handke u nderua nga akademia suedeze duke u shpërblyer për “punën me ndikim që me zgjuarsinë gjuhësore e ka eksploruar periferinë dhe specifikimin e përjetimit njerëzor”.

Para ceremonisë, kreu i Komitetit të Nobelit për Letërsi, Anders Olsson, kishte lënë të kuptohet se ata do të mundohen t’i shmangen “gjykimit eurocentrik” në dhënien e këtyre çmimeve.