E kërkoi Milan, Tare: Lazio një zgjedhje zemre

Igli Tare është arkitekti i vërtetë i Lazios, në heshtje pa shumë buje e me shumë pak buxhet, ish sulmuesi kuqezi arriti të ndërtoj një ekip konkurrues në futbollin italian. Trofeu i Kupës së Italisë ishte shpërblimi më i madh sezonin e fundit. Tare ka fituar respektin dhe mirënjohjen e futbollit italian duke u vlerësuar dhe si drejtori sportiv më i mirë i vitit. Objektivi i radhës i Tares dhe i Lazios është pjesëmarrja në Champions League:

“E kam me nxitim për ta arritur, grupi e di se në 3 vitet e fundit mund ta luanim qetësisht”. Historia mund të ishte ndryshe nëse Tare do të kishte pranuar ofertën e drejtuesve të Milanit për të qenë ai drejtori sportiv: “Boban ka qenë një idhull im, Maldini një ekzemplar si futbollist dhe si drejtues. E kam prekur nga pranë dashurinë e tyre për Milanin por dhe për mua ishte një zgjedhje zemre, të largohesha do të ishte e gabuar. Zgjova me zemër e jo për para”.

Në intervistën e tij për “Corriere dello Sport”, Tare tregon se sa i lidhur është me Lazion: “Kur shkoj jashtë shtetit e kuptoj se Lazio është e rëndësishme. Nëse do të largohem nga këtu do të mendohem mirë pasi e di se kam krijuar diçka të bukur sëbashku me shoqërinë, stafin teknik dhe lojtarët”. Në fund nuk mungoi dhe një koment për zbulimin e tij Milinkovic-Savic: “Nëse do të largohej e kishim gati zëvendësuesin e tij por tani do të qëndroj dhe do të rinovoj kontratën edhe me një vit tjetër, gjithnjë duke ruajtur ekuilibrat”.