Dështon masa qeveritare për subvencionimin e makinave

Dështoi plani për subvencionim të automjeteve deri në 3 mijë euro dhe për taksë më të ulët të vlerës së shtuar për import të automjeteve më ekologjike me standard EURO 5 dhe EURO 6. Për këtë masë nuk do të ketë para në buxhetin e vitit të ardhshëm. Propozim masa erdhi nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Megjithëse në planifikimin e buxhetit të Ministrisë ishin paraparë para për këtë qëllim, Ministrja e Financave Angellovska këtë masë nuk e ka aprovuar me arsyetimin se nuk do të japë rezultatin e dëshiruar. Paratë do të shkojnë në masa të tjera.

Është vendosur që prioriteti i Qeverisë është t’i alokojë paratë atje ku do ta japin efektin më të mirë. Masa është debatuar, është diskutuar, kishim grup pune, kështu që mjetet janë alokuar që të japin efekt më të mirë”

Ministri Bekteshi pohon që nuk i ka gënjyer qytetarët, por se përkundrazi, do të merret vendim që do të jetë më i mirë dhe do të përfshijë më shumë qytetarë.

“Në buxhet nuk ka drejtpërdrejtë mjete të parapara për realizimin e masës së dytë që parashihet në Ligjin për automjetet apo ndërrimi i automjetet të vjetër me automjete të ri me subvencion direkt. Do të shkojmë me zgjidhje tjetër, me të cilën do t’u mundësojnë më shumë qytetarëve të interesuar ta shfrytëzojnë masën në fjalë apo këtë lehtësim që mund ta ofrojmë me vendim ligjor. Do të thotë, nuk do të ketë subvencionim direkt me të holla, por për momentin po punojmë në ndryshimet ligjore”

Opsioni për subvencionimin e automobilave me 3 mijë euro u paralajmërua gjatë verës që lamë pas. Kjo masë parashihte ndërrimin e automobilave të vjetër me të ri ose automobil të përdorur me standarde ekologjike, me motor Euro 5 dhe Euro 6. Për momentin në vend ka 466 mijë automobila të regjistruara, por 269 mijë prej tyre janë më të vjetër se 18 vjet. Kjo masë parashihte të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit që tash disa vite me radhë është problemi më i madh i qytetarëve.