Dekretimi i Ramës si ministër i Jashtëm, Meta: Do të jap përgjigje të qartë, pa dashuri, brenda afateve kushtetuese

Presidenti Ilir Meta përsëriti këtë të martë se në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për t’u vendosur në krye të Ministrisë së Europës dhe Punët e Jashtme, do t’i duhet kohë e mjaftueshme, brenda afateve kushtetuese, për t’u shprehur me dekret.

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi këtë të martë për gazetarët se në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për t’u dekretuar në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, përgjigja e tij do të vijë në format të qartë, të menduar dhe brenda afateve kushtetuese.

“Këtu jemi për të promovuar edhe një herë solidaritetin për dhurimin e gjakut. Për këtë çështje besoj se e kam dhënë një përgjigje dje. Dhe do të jap një përgjigje të qartë, të përgjegjshme, shteruese, me qetësi, por pa dashuri, brenda afateve kushtetuese.”- Ilir Meta, President i Republikës.

Presidenti Ilir Meta komentoi për herë të parë propozimin e kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e djeshme. I ftuar në një emision televiziv, Meta tha se ka mbërritur në Presidencë propozimi me emrin e Ramës si ministër, mirëpo ai shtoi se do t’i duhet kohë e mjaftueshme për t’u shprehur me dekret. Vendimi i kryeministrit Edi Rama u komunikua në mbledhjen e kryesisë socialiste, të zhvilluar po ditën e hënë.

Përplasja presidencë-qeveri nisi tre ditë më parë, pasi kreu i shtetit Ilir Meta refuzoi të dekretojë propozimin për emërimin e Gent Cakajt ministër të Jashtëm në vend të Ditmir Bushatit. Meta arsyetoi se Cakaj është figurë e papërshtatshme për pozicionin e kryediplomatit për shkak të qëndrimeve të tij për kufijtë e Kosovës si dhe mbajtjen e detyrës së zv/ministrit të Jashtëm duke mos u pajisur me certifikatë sigurie. Pretendime, të cilat sipas kryeministrit Edi Rama, ishin të pabaza dhe provuese të shkeljes së Kushtetutës nga ana e presidentit Meta.




Be the first to comment

Leave a Reply