BE-ja i kërkon Britanisë plan të detajuar për Brexit-in

Bashkimi Evropian duhet të kundërshtojë kërkesën e Britanisë për të shtyrë afatin e Brexit-it para se ligjëvënsit britanik ta bëjnë të qartë se çfarë duan të arrijnë, tha kordinatori i parlamentit evropian për Brexit-in, Guy Verhofstadt.

Sipas tij, shtyrja e daljes së Britanisë nga BE-ja, qoftë edhe për 24 orë, pas datës 29 mars, mund të bëhet vetëm nëse parlamenti britanik paraqet një plan të qartë për këtë.

Të martën, ligjvënësit britanikë, për herë të dytë, kanë votuar kundër marrëveshjes për Brexit-in të negociuar nga qeveria britanike dhe Bashkimi Evropian duke e vënë në drejtim të panjohur procesin e daljes së vendit nga BE-ja.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se qeveria e saj, të mërkurën, do të dërgojë një mocion në parlament në mënyrë që ligjvënësit të vendosin nëse do të mbështesin braktisjen e BE-së më 29 mars pa një marrëveshje.