ASH: Çarshia e Sarajevës më e mirë se e Shkupit, edhe pse atje ranë 480 mijë granata, këtu vetëm një – BDI-ja

Jo larg Shkupit gjendet qyteti i Sarajevës i cili ka një çarshi gati të njëjtë siç është e Shkupit, në atë qytet gjatë luftës së fundit kanë rënë afro 480,000 granata, por gjendja e çarshisë së tyre është më e mirë se e çarshisë sonë, vetëm për një arsye, sepse te ne në 18 vitet e fundit ka ra vetëm një granatë e quajtur BDI.

Kështu deklaruan sot nga Aleanca për Shqiptarët – Dega Çair, të cilët nëpërmjet një konference për shtyp kanë theksuar problemet me të cilat përballet Çarshia e Shkupit, e cila sipas tyre dikur ishte qendra me e madhe e zejtarisë në Ballkan, ndërkaq tani është shndërruar në qendër të kafeneve dhe e tregtisë me mallra të huaja, raporton Portalb.mk.

“Mirëpo, prej se Komuna e Çairit udhëhiqet nga kuadro të BDI-së, ajo në mënyrë sistematike është duke u shkatërruar dhe duke u rrënuar si vlerë kulturore dhe arkitektonike, duke u prishur objektet e vjetra dhe duke u ndërtuar objekte të reja me dimensione shumë më të larta se parapraket të cilat e rrënojnë strukturën e saj”, tha Rizvan Bela nga Aleanca për Shqiptarët, Dega Çair.