Arrestimi i Dakos, Prokuroria flet për “Opinion” (VIDEO)

Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur interesit të emisionit “Opinion” nëse ka një hetim të hapur për kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako për trafikimin e votës. Live në emisionin “Opinion”, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme është shprehur se për çështjen e Dakos vazhdojnë hetimet me ritëm të përshpejtuar, në kuadër të dosjes 339.

“Për çështjen në fjalë vazhdojnë hetimet me ritëm të përshpejtuar. Fakti që nuk është person nën hetim, nuk do të thotë që nuk po hetohet veprimtaria e tij. Po hetohet veprimtaria e tij dhe e shumë personave të tjerë dhe në fund do të konkludohet nëse ka ose jo elementë të veprës penale.”

Ndërkohë burime për “Opinion” kanë thënë se për dosjen 339 me vendim të Donika Prelës janë vendosur 2 prokurorë dhe 10 policë gjyqësorë, nga një prokuror dhe pesë oficerë gjyqësorë që ishin më parë dhe se po ekzaminohen rreth 400 CD, nga 700 të tilla./Opinion.al