Analistët: LDK “përdori” Vjosa Osmanin si “makineri” votash!

Gruas më të votuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmanit duket se i ka përfunduar misioni i saj si vendimtare në këtë parti, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Renditja e LDK-së si parti e dytë për nga numri i votave, ka lëkundur edhe pozicionin e kandidates për kryeministre, e cila tani kur po zhvillohen bisedimet për bashkëqeverisje me partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje ka rënë në heshtje.

E për këtë situatë, njohësit e çështjeve politike kanë dyshime se ajo mund të jetë përdorur nga partia vetëm për të mbledhur vota.

Një mendim të tillë e ka analisti politik Imer Mushkolaj, sipas tij, po të mos ishte kështu ajo do të ishtë më e angazhuar në procesin e negociatave mes dy partive politike.

“Unë them se LDK-ja e ka “përdorur” Vjosa Osmanin për mbledhje të votave. Po të ishte ndryshe ajo do të përfshihej në mënyrë aktive në negociatat me VV-në.Tashmë po shohim se në këto negociata është përfshirë kryesisht garda e vjetër e partisë si z.Haziri dhe të tjerët. Të mos harrojmë se zonja Osmani përpos si Kandidate për Kryeministre mban dhe postin e njërës prej nënkryetarëve të LDK-së dhe ajo do të duhej të ishte përfshirë më tepër. Mendoj se Vjosa Osmani do të duhej të ishte më e përfshirë në proces sepse nëse Vjosa Osmani nuk do të ishte candidate për Kryeministre LDK-ja zor se do ta kishte arritur këtë rezultat. Nëse vazhdon kjo qasje ndaj zonjës Osmani atëherë mund të kontstatojmë se ajo është përdor veq si “makinë”për mbledhjen e votave” tha Mushkolaj për Gazeta Blic.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend Belul Beqaj thekson se po shihet dominimi i veteranëve të LDK-së karshi Vjosa Osmanit.

Beqaj thotë se Osmani duhet ta kuptojë votën që i dha sovrani dhe të dominojë të gjithë ata që e sollën në pikën kritike LDK-në.

“Dyshimet e vlerësuesve serioz se Vjosa Osmani do të jetë nën survejimin dhe kontrollin e veteranëve deshtak të LDK-së, po dalin të vërteta. Por, kjo situatë nuk e amneston heshtjen e Vjosa Osmanit. LDK-ja, rikthimin e saj shumë të rëndësishëm në politikën kosovare e ka krijuar me te e jo me liderin e partisë që për pak nuk e fundosi LDK-në. Fati është se është futur në lojë, për arsye taktike të liderit partiak zgjedhore Vjosa, por fatkeqësia se ajo nuk po e kupton rolin dhe shansin që ia ka dhënë sovrani për të dominuar të gjithë ata që LDK-në, për pak nuk e margjinlizuan. Pavarësisht se kush qëndron pas heshtjes, heshtja i akuzon të gjithë ata që pengojnë rolin më proaktiv të saj që reflekton vullnetin politik të qytetarëve” thekson Beqaj.

“Gazeta Blic” ka provuar të kontaktojë edhe me Vjosa Osmanin rreth rolit të saj në negociata me VV-në por e njëjta nuk është përgjigjur thirrjes së redaksisë.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 Tetorit mori një numër të konsiderueshëm votash duke u renditur subjekti i dytë politik në vend.
LDK kandidoi për here të pare një grua për postin e Kryeministres.