Albulena Haxhiu: Ramush Haradinaj ka frikë ta ndalë Hashim Thaçin




Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë seancës së jashtëzakonshme që po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga deputetët që të dalin me një qëndrim të tyre lidhur me dialogun me Serbinë.

“Besoj që kjo ide e kësaj seancë mund të jetë po ai moment, për shembull nuk e di sot a do të mbërrini ta përmbyllni këtë debat me një produkt, se e shoh që ka edhe mungesë të kuorumit, po nëse vazhdon kjo seancë, ju lutem mbërrini te një qëndrim i caktuar, jepni ato konkluzione të qarta, lehtësojani punën atyre që na përfaqësojnë që ta kenë të qartë se për çka të na përfaqësojnë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu komentoi edhe deklaratat e deputetëve të cilët kritikuan presidentin Hashim Thaçi, dhe u tha deputetëve që secili dihet ta kryejë përgjegjësinë e vet në vend se t’i kritikojnë të tjerët.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se Haradinaj e ka të qartë punën e dialogut, por sipas saj, ai nuk po guxon ta ndalë presidentin Thaçi.

Ajo po ashtu tha se Thaçi po bën shkelje kushtetuese përderisa po përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë dhe njëherësh rikujtoi që gjatë kohës kur ishte Jahjaga presidente, prapë Thaçi e kishte përfaqësuar Kosovën në dialog.

Ndërkaq pas replikës se deputetes Haxhiu, kryeministri Haradinaj tha se nuk u kthye në seancë për të krijuar polemika me deputetët, por me shpresën që deputetët do ta ‘japin’ provimin.

“Kisha pasur shumë dëshirë që parlamenti ta japë provimin. Mund të dështojë njëri, fatmirësisht jemi disa pushtete, pra është parlamenti, është qeveria, është presidenti është gjyqësori, por po e dha parlamenti provimin, ju siguroj që është me peshë të madhe, ju siguroj që ka ndikim të jashtëzakonshëm te të tjerët”.




Be the first to comment

Leave a Reply