Ahmeti flet për krizën qeveritare: Nëse Qeveria mbahet pa BDI, atëherë bëhet shumë gabim

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në koalicionin qeveritar, ku janë tendosur marrëdhëniet midis LSDM dhe BDI, pas dështimit të heqjes së imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE, Trajko Veljanovski.

“BDI për 18 vite me radhë është një nga kontribueset më të mëdha të stabilitetit në vend, afrimin e komuniteteve, asnjëherë s’kemi nxitur urrejtje, përplasje. Fjalori i BDI ka qenë se sit ë ndërtohet e ardhmja e vendit dhe të mos kthehen skenaret që nxisnin komunitetet për përplasje. Kjo do të jetë filozofia edhe në të ardhmen. Ju siguroj se nuk ka përplasje mes partnerëve të koalocionit. Mund të ketë dallime në pika që nuk e cënojnë integritetin dhe moralin e asnjërës palë si BDI as edhe LSDM. Tanimë vendi ka nevojë për më shumë qetësi, komunikim dhe bashkëpunim, si atyre në pozitë dhe opozitë. Nuk mund të përjashtohet”, theksoi Ahmeti, informon INA.

Sipas tij, nuk ka hapsirë për të instaluar politika të teorive konspirative.

“Ne jemi të hapur në komunikim me partnerin e koalicionit. Nuk ndërtojmë politika të dyfishta, njëra për natën, dhe tjetra ditën. Nuk shërbehemi as me shpifje e as me lajme të rrejshme. Nëse Qeveria mbahet pa BDI, atëherë bëhet shumë gabim. Kjo mund të jetë një deklaratë e një funksionari të LSDM, i cili nuk ka përgjegjësinë e një misioni të rëndësishëm për vendin. Unë kam përgjegjësi dhe nuk shërbehem në këtë situatë me emocione, sepse jemi në shërbim të një politike racionale që është në interes të gjithë qytetarëve. Nuk dua të matem se kjo Qeveria a qëndron pa BDI apo jo”, theksoi Ahmeti. (INA)