Ahmeti – Angelov: Marrëveshja me Bullgarinë e arritur e rëndësishme

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në selinë e BDI-së në Tetovë u takua me ambasadorin e Bullgarisë fqinje në Maqedoninë e veriut, Angel Angelov. Ahmeti dhe ambasadori Angelov diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale, zbatimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë, si dhe integrimin eurotlantik të vendit, raporton KOHA.

“Marrëveshja për fqinjësi të mirë midis Shkupit dhe Sofjes është një e arritur e rëndësishme dhe duhet të zbatohet në përpikshmëri. Gjithashtu, marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve tona duhet të shënojnë rritje dhe institucionet duhet që ta lehtësojnë këtë proces”, tha Ahmeti pas takimit.

Gjatë takimit u konkludua se mbështetja e Bullgarisë për marrjen e datës për fillim të negociatave midis Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian është kyçe dhe ne jemi në pritje të lajmeve pozitive javën e ardhshme nga Brukseli.
Ky vendim pozitiv i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do ta thellojë dialogun me Brukselin dhe do t’i përshpejtojë reformat në vend.