Abazi: LDK dhe VV së bashku mund të marrin mbi 70% të votave të elektoratit

Njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se gjuha e përdorur nga Veseli është për keqardhje, derisa shton se po mundohet ta frikësojë LDK-në me zgjedhje, pasi frikë ka PDK.

“Është për keqardhje niveli, gjuha dhe qasja që ka kryetari i parlamentit. Ai është aty si rezultat i shkeljeve kushtetuese, manipulimit me votat qytetare dhe përdorimit të gjuhës së dhunës. Kosova i ka punët keq sepse njerëzit sikur Veseli janë duke e drejtuar në kahje të gabuar edhe debatin por edhe energjinë e vendit. Veseli kishte thënë se do të bëhet kryeministër kur e tradhtoi bashkë me Thaçin marrëveshjet e bëra me LDK-në. Tani këto kërcënime për zgjedhjet janë po ashtu të kota, mendoj që ai po shpreh edhe frikën edhe kërcënimin nga frika por është e qartë se shkuarja në zgjedhje është vetëm frikë e PDK-së dhe satelitëve të saj”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, LDK e as VV nuk kanë pse të frikësohen nga zgjedhjet, pasi bashkë mund të marrin mbi 70 për qind të votave, që do të ishte triumf mbi të keqen.

“LDK nuk ka se çka i frikësohet zgjedhjeve e as LVV, ato së bashku mund të marrin mbi 70% të votave të elektoratit kosovar dhe kjo do të ishte një triumf mbi të keqen, andaj çfarëdo që do të jetë reforma zgjedhore, qoftë edhe nëse duan që të sjellë zgjedhjen e presidentit me votë direkte që do të ishte jokushtetuese sepse Kosova është shtet parlamentar, humbja e Veselit dhe të tjerëve rreth tij, përfshirë edhe ata që tani i kanë mandatet e vjedhura, është e pashmangshme. Ndërsa referimi tek Gjykata Speciale është po ashtu nivel i ulët, atë gjykatë e kanë krijuar vet dhe duke bërë presion mbi parlamentarët”, është shprehur Haki Abazi për “Bota sot”.

Be the first to comment

Leave a Reply