A ka para për zgjedhje të parakohshme?

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që më 22 gusht të mbahet seancë për shpërndarjen e Kuvendit, u ka hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj, nga pozita e kryeministrit.

Subjektet politike në Kosovë tashme kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, madje edhe kanë nisur fushatën parazgjedhore pa u caktuar zgjedhjet.

Në anën tjetër, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se ende nuk kanë para për fillimin e përgatitjeve për zgjedhje.

Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky vit nuk ishte parashikuar si vit zgjedhor dhe prandaj në Ligjin e Buxhetit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Ai thotë se pas shpalljes së zgjedhjeve, KQZ-ja do të bëjë kërkesë në Qeveri për mjetet e nevojshme financiare.

Ndërsa, sa më shpejt që do të miratohej kërkesa për mjete financiare, pas paraqitjes së saj, Elezi thotë se kjo do ta lehtësonte tej mase punën e KQZ-së në organizimin e zgjedhjeve.

“Mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, KQZ-ja bën kërkesë në Qeverinë e Kosovës për mjetet financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”.

“Zgjedhjet e kaluara parlamentare, të cilat po ashtu kanë qenë të paplanifikuara, kanë kosto të përgjithshme shumën 4 milionë euro. Por, se sa do të kushtojnë zgjedhjet eventuale, ne nuk mund ta dimë tani. KQZ-ja fillon me përgatitjet intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të merret vendimi përshpalljen e tij. Prandaj, në këtë drejtim ne ende nuk kemi bërë ndonjë planifikim të buxhetit. Qeveria po pret kërkesën e KQZ-së” , thotë Elezi.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave, ndërkaq, pohojnë se mjetet financiare për organizimin eventual të zgjedhjeve, ekzistojnë në këtë ministri.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në largim të Financave në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas kërkesës të KQZ-së, ministria do të sigurojë mjetet e nevojshme.

“Brenda Ministrisë së Financave janë mjetet e nevojshme për arsye se është paraparë një rezervë brenda ministrisë që të jetë në dispozicion. Pra, mjetet janë në dispozicion dhe sipas bazës ligjore, ministri i Financave mbi bazën e kërkesës në këtë rast të KQZ-së, mund të bartë atë shumë të mjeteve për buxhetin e KQZ-së për të organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Rafuna.

Megjithatë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se Komisioni është i gatshëm t’i organizojë zgjedhjet kurdo që shpallen ato.

“Ne jemi të gatshëm që t’i organizojmë zgjedhjet kurdo që të shpallen ato. Ne kërkojmë nga sekretariati që të mobilizohet qoftë muajin e ardhshëm, qoftë pas atij, që të jemi gati. Ne jemi gati, e them edhe një herë dhe dua që ta njoftoj edhe opinionin”, ka thënë Daka në një konferencë për media .

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti, jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Më 10 maj të vitit 2017 një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke i dhënë fund koalicionit të atëhershëm qeverisës dhe duke hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në atë kohë, vetëm pesë ditë (15.05.2017) pas shpërbërjes se Kuvendit, Qeveria e Kosovës në krye me ish-kryeministrin Isa Mustafa kishte arritur të ndajë rreth 5 milionë euro për KQZ-në, mjete këto të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve me 11 qershor po të vitit 2017

Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një qeveri të qëndrueshme që ka përfunduar mandatin katër vjeçar.